Sistemi i ashtuquajtur një sportel, i cili filloi të aplikohet në regjistrin qendrorë për regjistrimin e firmave, mundësoi lehtësira të shumta në procesin e regjistrimit të firmave të reja, madje nga pesë ditë pritjeje me ndryshimet që pësuan nga viti 2008, firma mund të regjistrohet për vetëm disa orë dhe brenda një ditë.
Por ndryshimet e kryera në rregulloren e Regjistrit qendrorë, nuk përfshinë shmangien e barrierave të shumta burokratike për çregjistrimin e firmave. Derisa për të hapur një firmë nevojiten vetëm disa orë, për të shlyer atë nevojiten javë të tëra, procedurë gjyqësore dhe mbi gjitha me një kosto të lartë financiare. Janë dy alternativa juridike që parashohin procesion e çregjistrimit të firmave, procedura për falimentim si dhe procedura për likuidim. Në të dyja rastet, e pashmangshme është procedura gjyqësore.
Si pasojë e barrierave të shumta burokratike për çregjistrimin e firmave, pronarët e tyre mbingarkohen me obligime shtesë që lindin nga taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera prej institucioneve të ndryshme. Në një situatë të tillë, obligimet ndaj institucioneve sa vijnë e shtohen, edhe përskaj situatës së pafavorshme në të cilën gjendet personi juridik.
Nga Oda rajonale e zejtarëve me seli në Gostivar, vërejnë se pakënaqësia në raste të tilla është e madhe, andaj dhe paralajmërojnë propozim konkret për ndryshimin e rregullores së Regjistrit qendrorë në pjesën që determinon procesin e shlyerjes së firmave. Në takimin e radhës me përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, në rend dite të vihet edhe propozimi për liberalizimin, respektivisht eliminimin e barrierave burokratike.
“Është një proces me ngarkime të panevojshme, qofshin ato juridike por edhe financiare. Në raste të tilla, vet angazhimi i pronarëve që dëshirojnë të çregjistrojnë firmat e tyre, lejon të kuptohet se gjendja në të cilën gjendet personi juridik është e rënduar, pra nuk ka të hyra dhe të dala të mjaftueshme për ekzistencën e mëtejme të firmës. Pasi që kanë vendos të mbyllin firmat, normal që kanë një arsye të fortë dhe kanë tepricë të shpenzimeve kundrejt të ardhurave në buxhet. Mendojmë se procedura për çregjistrimin e firmave është tejet e koklavitur, andaj kemi vendosur që në takimin e parë me përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, të kërkojmë modifikim të rregullores së Regjistrit qendrorë”, theksoi Nazif Mustafai, kryetari i Odës Rajonale të Zejtarëve me seli në Gostivar. Sipas tij, personave fizikë që dëshirojnë të shlyejnë firmat e tyre dhe nuk kanë mundësi financiare për të mbuluar obligimet ndaj shtetit dhe procesin e falimentimit ose likuidimit të firmave, duhet të obligohen që me deklaratë të noterizuar të marrin për sipër shlyerjen e obligimeve me kalimin e kohës, dhe në të njëjtën kohë tu lejohet çregjistrimi i firmave, me çka do të fitonin të drejtën e sigurimit shëndetësor ose punësimin e tyre në ndonjë institucion ose firmë private. Çdo prolongim, veçse shton barrën e pronarëve të firmave dhe pamundëson shfrytëzimin e të drejtave sociale siç është sigurimi shëndetësor nga ana e shtetit.
Në raste kur firma ekziston vetëm në letër, pra personi juridik nuk ka obligim ndaj fondit shëndetësor, sipas drejtuesve të Odës Rajonale të Zejtarëve në Gostivar, procedura e shlyerjes së firmës duhet të jetë vetëm një proces i thjesht administrativë.
“Në raste të tilla, firma që nuk ka as pronë të tundshme as të patundshme dhe që nuk ka të hyra transaksionale brenda vitit, duhet të ketë thjeshtëzim të procedurës së çregjistrimit të firmës. Nuk ka se çka të kërkohet nga ato, nëse nuk kanë pasur persona të paraqitur në fondin shëndetësor dhe atë penzional dhe invalidor, duhet të pason vetëm një kërkesë nga ana e personave juridik, dhe më ketë të ndodh çregjistrimi nga Regjistri qendrorë. Çdo vonesë dhe procedurë tjetër e panevojshme, veçse komplikon lëndën. Nuk ka të hyra vjetore, kurse kërkohet pagesa vjetore e taksave komunale dhe obligimeve të tjera siç është taksa radiodifuzive. Më pas pason bllokimi i xhirollogarisë dhe ngarkohet procedura në mënyrë të panevojshme. Kjo duket të merret para sysh nga ana e institucioneve kompetente”, thekson Mustafai.
Ai nënvizon se barrierat burokratike për çregjistrimin e firmave në raste të tilla kur firma realisht nuk ushtron asnjë funksion dhe nuk ka ndonjë të hyrë financiare, çdo zvarritje në procesion e çregjistrimit të së njëjtave, veçse komplikon dhe shtynë çështjet që më pas është rëndë tu shihet fundi. Në raste kur firma nuk ka obligime ndaj fondit shëndetësor dhe atij penzional dhe invalidor, nuk posedon pasuri të tundshme dhe të patundshme, ndërkohë që nuk ka shlyer taksat komunale dhe taksën e radiodifuzionit, obligohet që të njëjtat t’i paguan ndërkohë që procesi gjyqësor për likuidim apo falimentim, kushton nga 500 deri 700 euro.




