Ju jeni këtu: // Lajmet // Osmani rrëfen për takimin me Zaevin !

Osmani rrëfen për takimin me Zaevin !

Lideri i RDK-së njëherësh kryetar i Komunës së Gostivarit Rufi Osmani, në prononcimin për Tv2 ka dhënë sqarime plotësuese rreth vizitës së tij të fundit në Strumicë dhe takimit me kryetarin e saj, Zoran Zaev. Osmani ka përgënjeshtruar zërat rreth idesë së plasuar në mediume për platformë të përbashkët opozitare mes kampit politik maqedonas dhe atij shqiptar, duke shtuar se me kryetarin e Komunës së Strumicës Zoran Zaev, është biseduar kryesisisht në shkëmbimin e përvojave, problemeve dhe alternativave te menaxhimit të komunave. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë debat për bashkëpunim të mundshëm mes RDK-së dhe partisë maqedonase opozitare, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).

“Në takimin me Zaevin nuk u diskutua asgjë e veçantë në kuptim të politikës ta quajmë të madhe në nivel nacional. Takimi ishte ekskluzivisht në këmbimin e përvojave , problemeve dhe alternativave për menaxhimin e komunave. U këmbyen përvojat në menaxhimin e financave, arsimit , tokës ndërtimore , investimeve kapitale dhe shfrytëzimit të IPA fondeve. Bashkë konstatuam se pushteti qendror bën diskriminim në  baza politike dhe në rastin e Gostivarit edhe në bazë etnike. Debati kryesisht u zhvillua në këto drejtime”, sqaron Osmani.

Informatat tjera me karakter politik që dolën nga konferenca e përbashkët për shtyp, menjëherë pas takimit zyrtar me kryetarin e Strumicës i cili njëherësh është edhe nënkryetar i LSDM-së, sipas Osmanit, janë ekzagjeruar nga mediumet e pranishme.

“Në dy pyetje të gazetarëve, unë dhashë përgjigjet konstante për bashkëpunimin e opozitës në funksion të tejkalimit të problemit të emrit dhe dënova brohoritjet antishqiptare që së fundi bëhen nga tifozë të kombëtares maqedonase në hendboll. Kërkova distancim nga institucionet sportive dhe ndjekje nga institucionet e shtetit juridik”, theksoi Osmani.

Sqarimi plotësues lideri i RDK-së njëherësh kryetar i Komunës së Gostivarit Rufi Osmani, erdhi pas pasimit në media të informatës për unifikim të opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare rreth një platforme të përbashkët opozitare, si mesazh që pretendohej se ka dalë nga takimi mes kryetarit të Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) Rufi Osmani dhe nënkryetarit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).

Copyright © 2009 Tv2 | Televizion Gostivar. All rights reserved.
Tv2. Televizion Tv2 Gostivar