Komuna e Gostivarit dhe USAID-it, në Gostivar do të ndërtojnë terrenin sportiv për “paragliding”

205

Në kuadër të Projektit të USAID-it për Zgjerim të Bizneseve të Vogla, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta si dhe drejtori i projektit, Carl Larkins kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, me çka i hapet rruga realizimit të këtij projekti edhe në Komunën e Gostivarit. Me këtë projekt do të bëhet pajisja dhe avancimin e fushës për ngritje dhe fushës për zbritje në “paragliding” dhe që do të ndërtohen në territorin e fshatit Çegran.

Pas nënshkrimit të memorandumit për mirëkuptim, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, shprehu mirënjohje dhe falënderim ndaj USAID-it, qeverisë dhe popullit amerikan si dhe qeverisë dhe popullit zviceran për mbështetjen financiare në realizimin e këtij projekti edhe në Komunën e Gostivarit. Bejta njoftoi se inaugurimi i projektit do të bëhet në ditën e Komunës së Gostivarit, më 29 qershor, ku dhe do të organizohet një garë e hapur mes adhuruesve të këtij sporti.

“Ne si Komunë kemi realizuar shumë projekte me USAID-in. Kemi realizuar projekte për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në Komunën e Gostivarit, në dobi të shoqërisë. Ne si Komunë, gjithnjë i kemi dhënë përkrahje sportit, sepse kjo shkon në të mirë të sportistëve dhe sportdashësve. Me USAID-in realizojmë një projekt të ri për qytetarët e Gostivarit, dhe që ndërlidhet me sportin e njohur si “paragliding”. Në qytetin tonë kemi qytetarë që janë adhurues të këtij sporti. Besoj se bashkë me drejtorin e projektit, zotin  Carl Larkins, këtë projekt do ta vendosim në zbatim pikërisht në ditën e Komunës së Gostivarit, dhe atë ditë, pse jo, bashkë me mysafirin do të bëjmë edhe një fluturim të përbashkët. Besoj se në ditën e komunës ky sport do të zyrtarizohet me të gjitha parametrat e nevojshme që kërkohen.

Ne si komunë, administrata dhe gjithë qytetarët e Gostivarit, jemi falënderues për drejtuesit e USAID-it, popullit dhe qeverisë amerikane për mjetet financiare që ndahet në të mirë të shoqërisë sonë”, tha mes tjerash kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

Drejtori i projektit, Carl Larkins tha se projekti është paramenduar për të fuqizuar kapacitetet e sektorit privat për zhvillim ekonomik rajonal dhe krijim të vendeve të punës brenda rajoneve të përzgjedhura të Maqedonisë.

“Falënderojmë kryetarin për mikpritjen dhe paralajmërimin e kësaj iniciative. Bëhet fjalë për projektin për zgjerim të bizneseve të vogla që realizohet nga USAID dhe me bashkëfinancim nga qeveria zvicerane. Jemi këtu për të paralajmëruar iniciativën për “paragliding” në Komunën e Gostivarit. Shumica nga ju e dini se Maqedonia është vend ideal për këtë lloji turizmi. Projekti përkrah përgatitjen teknike për vendet e fluturimit dhe zbritjes, si dhe teknologjinë e nevojshme për zhvillimin e këtij sporti. Nga projekti jonë Gostivari do të jetë komuna e tretë që po përkrahet për zhvillimin e këtij sporti, dhe sipas marrëveshjes me kryetarin e komunës, plani është që nga fundi i qershorit projekti të jetë gati dhe të kemi aktivitetet e para sportive në këtë drejtim.  Projekti synon të ndihmon përmirësimin dhe promovimin e sportit të quajtur “paragliding”. Në bashkëpunim me Agjencinë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit malor, presim që edhe në Komunën e Gostivarit të sjellim turist”, tha mes tjerash drejtori i projektit,   Carl Larkins.

Me nënshkrimin e memorandumit për mirëkuptim, USAID merr për sipër të bëjë vendosjen e një tabele informacioni në fushën e ngritjes, vendos e një stacion meteorologjik në fushën e ngritjes, vendosjen e gropës së erës në fushën e ngritjes dhe fushën e zbritjes, vendosjen e një platformë hidraulike për përgatitje të parashutistëve përpara ngritjes, si dhe vendosjen e shenjave  rrugore  për të shënuar fushën e ngritjes. Me këtë memorandum, komuna e Gostivarit pajtohet të pastrojë fushën e ngritjes nga shkurret dhe gurët, të rrafshojë tokën në fushën e ngritjes, të sigurojë ndihmë logjistike dhe administrative gjatë zbatimit të aktiviteteve, të azhurnojë planin komunal të qarkullimit, si dhe të zbatojë proceset plotësuese administrative për të lehtësuar punën në terren.

Në Komunën e Gostivarit ekziston edhe një klub për “paragliding”, me emrin “Kondor” i cili ka një nivel bazë të aktiviteteve në këtë drejtim.