Fitore 4:0 për Shkëndijën në testin me Gostivarin

339

Shkëndija ka shënuar fitore bindëse 4:0 në takimin kontrollues me Gostivarin. Ennur Totre, dy herë Hristijan Kirovski dhe Armend Alimi ishin autor të golave në një takim të dominuar nga ‘kuqezinjtë’ e që lëshuan një mori rastesh për të shënuar. Trajneri Shpëtim Duro luajti me dy ekipe të ndryshme në dy pjesët, duke inkuadruar në lojë gjithsej 21 futbollistë dhe 3 portierë, ndërsa vetëm Ferhan Hasani u la i lirë dhe nuk u përfshi në këtë përballje. Takimi nisi me një kanosje të Belulit nga gjuajtja e lirë, ndërsa në minutën e tetë Marjan Radeski depërton për mrekulli dhe asiston drejt Kirovskit, goditja e të cilit ndalet në kornizën e portës. Ndryshim nuk pati deri në minutën e 19-të kur një gabim i vendasve shfrytëzohet nga Ennur Totre, ndërsa mesfushori me qetësi plason për epërsi të Shkëndijës.

Edhe goli i dytë do të vinte pas një gabimi të vendasve, me Totren që edhe një herë tregohet syçelë dhe përmes Vruçinës topi arrin te Kirovski që dyfishon rezultatin. Tre minuta para fundit të pjesës së parë kundërsulm i Shkëndijës, Vruçina asiston drejt Kirovskit me këtë të fundit që me shumë klas parabolon portierin Jashar dhe me golin e dytë personal çon shifrat në 0:3.

Në pjesën e dytë të dyja ekipet hynë me thuajse formacione të reja dhe dominimi në teren sërisht ishte për ‘kuqezinjtë’. Zhunior në dy raste dhe një herë Ibraimi humbën mundësi për të shënuar, ndërsa goli i katërt erdhi në minutën e 66-të kur Imeri pason për Alimin, ndërsa kumanovari me goditje precize shënon për 0:4, që në fund u tregua të jetë rezultati final i takimit. Deri në fund të ndeshjes regjistrojmë disa tentime të Juffos, Zhuniorit dhe Ibraimit, mirëpo ndryshim në rezultat nuk pati. Në këtë përballje në fanellën e Shkëndijës debutoi mbrojtësi kroat Jure Jerbiç, ndërsa u përfshinë edhe dy lojtarë që qëndrojnë në provë, mbrojtësi i majtë Ivan Vasilj nga Kroacia dhe mesfushori bullgar Nikollai Dulgerov për fatin e të cilëve do të vendoset në ditët në vijim.

 

KF GOSTIVARI- KF SHKËNDIJA 0:4 (0:3)

 

Stadiumi i qytetit në Gostivar

 

Shikues: 700

 

Arbitër: Valton Ristemi

 

Arbitra anësorë: Sllagjan Markoski dhe Ebrar Taravari

 

Golashënues: Totre 19′, Kirovski 28′ dhe 42′ si dhe Alimi 66′

 

Kartona të verdhë: Jerbiç, Dulgerov dhe Vasilj (Shkëndija)

 

Kartona të kuq: /

 

GOSTIVARI: Jashar, Ziberi, Ramadani, Dimov, Merxhani, Abazi, Beluli, Nebi, Nurishi, Jonuzi dhe Hasan.

 

Luajtën edhe: Xheladini, Halili, Miftari, Bilbilovski, Savevski, Bexheti, Iljazi.

 

Trajner: Argjend Beqiri

 

SHKËNDIJA: Jovanovski (Azizi 30’ (Nuhii 61’)), Bejtullai (Todorovski 46’ (Taipi 81’)), Jerbiç (Pollozhani 46’), Cuculi (Bojku 61’), Vasilj (Abdulla 46’), Useini (Alimi 46’), Dulgerov (Imeri 61’), Totre (Demiri 46’ (Murati 77’)), Radeski (Juffo 46’), Kirovski (Ibraimi 46’), Vruçina (Zhunior 46’).

 

Trajner: Shpëtim Duro