Apeli vendos të premten për fatin e “Ballistit”

880

Ismail Morinaj, i njohur si autori që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit, u paraqit mëngjesin e kësaj të mërkure në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Ai ndodhet prej disa javësh në qeli nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe si person që përbën rrezikshmëri për shoqërinë.

Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi që seanca e radhës të zhvillohet të premten në orën 09:30. Shtyrja e seancës erdhi për shkak se avokati i Morinajt, Ardian Visha, nuk u paraqit.

“Ballisti” u arrestua një ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi, pas raportimit nga një qytetar në sallën operative se në automjetin ku ai udhëtonte gjendeshin armë.

Edhe në seancën e stome Morinaj u shfaq i veshur me bluzën kuqezi, me simbolet kombëtare. Në seancën kur u dha masa e sigurisë Morinaj u shfaq para togave të zeza me të njëjtën bluze, por ato kërkuan që ai ta ndryshonte. Ndërsa në seancën e sotme në Apel, “Ballisti” qëndroi në bankën e të akuzuarit deri në fund me bluzën kuqezi.

Seanca për lirimin e Ballistit kryesohet nga gjykatësja Zeqine Sollaku, ndërsa avokati i Morinajt, ArdianVisha, ka kërkuar më herët lirim dhe hetim të klientit të tij me masën detyrim paraqitje.

Gjykata e Tiranës shpalli “arrest me burg” për të, ndërkohë që për tre shokët të cilët kishin dijeni për armët e Morinës, u deklarua masa e “detyrimit me paraqitje”.