Kandidati për deputet në Zvicër Xhaferi: “Në rast nevoje do të strehoja 2 refugjatë në banesë”

1043

“Banesa jonë është mjerisht shumë e vogël. Por në një situatë emergjente aty mund të strehoheshin një deri dy persona”

albinfo.ch

Gazeta Blick në prag të zgjedhjeve nacionale të Zvicrës po publikon blic intervista me pyetje të njëjta (24 sish) me kandidatë për deputet në Parlamentin Nacional. Në vargun e shumë kandidatëve, personalitete me peshë në politikën e Zvicrës, blick në versionin online sot ka zgjedhur shqiptarin nga Maqedonia, Zari Xhaferin si bashkëbisedues.

Zariu 30 vjeçar është tashmë në mandatin e dytë deputet në Asamblenë e Kantonit të Zug-ut nga Partia Socialdemokrate (SP/PS). Në fushatën për zgjedhjet nacionale ai ka rënë në sy me fushatën që e ka bërë me biçikletë, për çfarë javë më parë e ka intervistuar edhe albinfo.ch. Xhaferi punon mësimdhënës dhe gazetar në Zug.

Pyetjes se në cilat lëndë në shkollë ka qenë më i fortë dhe në cilat më i dobët, Zariu i përgjigjet: më i mirë në gjuhën gjermane dhe më i dobët në matematikë respektivisht muzikë.

I pyetur se çfarë fuqie mbinatyrore do të dëshironte të ketë, ai përgjigjet se preferon leximin e mendimeve: “Kjo do ta bënte shumë interesante përditshmërinë time si mësues dhe politikan”.

Idhujt e Zariut janë prindërit e tij. Këtë e kanë merituar pasi që janë të zellshme, modestë dhe socialë.

Personaliteti i tij i preferuar historik është Nelson Mandela.

I pyetur nëse ka provuar drogën ai përgjigjet pozitivisht, por shton “më shumë pëlqen birra” (Baarer Bier).

Përgjigja se me çfarë mjeti të komunikacionit lëviz më me dëshirë, te Zariu është e qartë: me biçikletë. “aktualisht qarkulloj me biçikletën zgjedhore me rimorkio mbrapa, transmeton albinfo.ch. Ndryshe, me VW Passat të kuq që i ka mbushur 24 vjet dhe që ma kanë dhuruar prindërit për maturë”.

Pyetjes standarde të blick-ut se me kë nuk do të pinte kurrë birrë, ai i përgjigjet: “me Princ Harry-n ose me tipa tjerë të ngjashëm të llastuar”.

Në cilën moshë keni filluar të interesoheni me të vërtetë për politikë? “Kam qenë 21 vjeç deri sa isha në shërbimin ushtarak. Pasi që një parti e djathtë bënte vazhdimisht propagandë kundër të gjithë migrantëve. “Më mirë të marr pjesë vetë se sa të shikoj nga jashtë”, u bë deviza ime.

Një pyetje aktuale që po bën xhiron në mediet zvicerane, pranimi i refugjatëve në shtëpitë e politikanëve i është shtruar edhe Xhaferit. “Banesa jonë është mjerisht shumë e vogël. Por në një situatë emergjente aty mund të strehoheshin një deri dy persona”.

E gjithë fushata zgjedhore atij i ka kushtuar rreth 1000 franga, përgjigjet Zariu, i njohur për modestinë e tij.