Maqedonia i frikësohet përballjes me Shqipërinë, kjo është arsyeja

480

Federata e Futbollit e Maqedonisë po mendon që ndeshjen ndaj Kombëtares shqiptare, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2018, ta luajnë larg Shkupit.
Eliminatoret e Kupës së Botës 2018 duan edhe shumë kohë që të nisin dhe në Shqipëri askush nuk mendon për to, sepse përpara është pjesëmarrje historike në Euro 2016.

Megjithatë, Maqedonia nuk ka Kampionat Europian në mendje, që për pasojë ka nisur të mendojë që tani për Botërorin 2018 dhe në veçanti për sfidën që do të luajë në shtëpi, kundër Shqipërisë, pasi të dy kombëtaret fqinje janë në të njëjtin grup.

Infosport.mk raporton se drejtuesit e federatës maqedonase kanë ndërmend që ta zhvendosin ndeshjen larg Shkupit, me qëllim që të mos luhet në stadiumin “Filipi i Dytë”, ku numri i tifozëve shqiptarë mund të jetë shumë më i madh se ai i tifozëve maqedonas.

Nuk ka ende një njoftim zyrtar, por sfida mund të luhet në Strumicë, qyteti lindor më i largët i Maqedonisë, në krahasim me Shqipërinë.