Në Reçan do të ndërtohet mur mbrojtës në pjesën e sipërme të fshatit, kryetari Bejta në teren

440

Të reshurat e fundit atmosferike të shiut që përfshinë edhe regjionin e Gostivarit, në fshatin Reçan shkaktoi rrëshqitje të pjesshme të dheut rreth rrugës lokale për në pjesën e sipërme të fshatit. Vendi dhe rruga janë në konfiguracion të pjerrtë, por sipërfaqja rrugore nuk ka pësuar dëmtime.

Me kërkesë të banorëve të fshatit, në  vendngjarje doli kryetari Nevzat Bejta i cili nga afër u njoftua me gjendjen në terren. Udhëheqësia komunale dhe banorët u pajtuan që zgjedhje e përhershme e problemit do të ishte ndërtimi i murit mbrojtës.

Kryetari Nevzat Bejta para banorëve të fshatit deklaroi se ndërtimi i murit mbrojtës do të vihet në listën e prioriteteve dhe në afat sa më të shkurt do të fillojnë punimet në terren.

“Fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme, por ne si institucion mund të ndërmarrim masa për parandalimin e tyre apo minimizimin eventual të dëmeve. Gjetëm mirëkuptim për kërkesën e banorëve e cila është imediate dhe cenon sigurinë e fshatit. U pajtuam që të ndërtohet muri mbrojtës. Ky problem ka qenë shqetësim i madh i banorëve të fshatit dhe mund të sjellë pasoja nga fatkeqësitë e mundshme natyrore. Shumë shpejt do fillohet me punimet në terren”, tha mes tjerash kryetari, Nevzat Bejta.

Me këtë rast, banorët e fshatit Reçan falënderuan kryetarin Bejta për vizitën dhe gatishmërinë e treguar për tejkalimin e këtij problemi. /Radio Vala