Kush po mbjell frig se në Maqedoni mund të fillojë luftë pas zgjedhjeve të 24 prillit?

500

“MUNDËSIA E DYTË, ËSHTË QË MAQEDONIA TË PËRFSHIHET NË PËRLESHJE ETNIKE, OSE LUFTË CIVILE ME PARTIZANË PARTIAK, NËSE ZGJEDHJET E ARDHSHME ATY DO TË MANIPULOHEN NGA PALA NË PUSHTET. PARASHIKIMET JANË SE NËSE ZGJEDHJET DO TË MANIPULOHEN, NË MAQEDONI DO TË KETË LUFTË. LUFTA NË MËNYRË TË PASHMANGSHME DO SJELLË NDARJEN E MAQEDONISË NË DISA PJESË OSE SHPËRBËRJEN E SAJ. SHQIPËRIA DO JETË E DETYRUAR TË PËRFSHIHET NË KËTË LUFTE, MBASE JO ZYRTARISHT, PËR TI DALË NË MBROJTJE POPULLSISË SHQIPTARE ATJE, QË ËSHTË RRETH 40% E POPULLSISË SË SHTETIT”, SHKRUAN ISH-MINISTRI DRITA PRIFTI, DUKE KONSTATUAR SE SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NUK JANË TË GATSHËM PËR LUFTË SEPSE SHTETI SHQIPTAR KA VETËM RRETH 3.000 USHTARË DHE MBASE RRETH 9.000 POLICË

Shpërthimi i një lufte etnike ose qytetare në Maqedoni pas zgjedhjeve të parakohshme të 24 prillit, është një nga versionet që mund të sjellë deri te një luftë e re ballkanike. Këtë paralajmërim e ka bërë ish ministri shqiptar, aktualisht deputet i pavarur, Dritan Prifti, kurse si pikënisje për analizën e tij e ka marrë paralajmërimin e kancelares Angela Merkel për një luftë të mundshme në Ballkan. Sipas Priftit, konflikti në Maqedoni mund të ndizet në rast se manipulohen rezultatet e zgjedhjeve.

Si mundësi të parë dhe më e mundshme është që Serbia të sulmoje dhe pushtoje Kosovën, vlerëson Prifti duke rikujtuar se një plan sulmi ndaj Kosovës duhet të jetë arsyeja kryesore pse Serbia po merr nga Rusia me shumë se 2.5 miliard euro armatime dhe teknologji të lartë luftarake. “Nëse Kosova sulmohet nga Serbia, Shqipëria nuk do mund të mbetet jashtë kësaj lufte, jo vetëm se Kosovarët janë shqiptarë, por edhe se Serbia e di që Shqipëria është prapavija luftarake e Kosovës dhe truri taktik i saj”, thekson Prifti. Ai më tej elaboron edhe mundësinë e dytë se si mund të fillojë konflikti në Ballkan.

“Mundësia e dytë, është që Maqedonia të përfshihet në përleshje etnike, ose luftë civile me partizanë partiak, nëse zgjedhjet e ardhshme aty do të manipulohen nga pala në pushtet. Parashikimet janë se nëse zgjedhjet do të manipulohen, në Maqedoni do të ketë luftë. Lufta në mënyrë të pashmangshme do sjellë ndarjen e Maqedonisë në disa pjesë ose shpërbërjen e saj. Shqipëria do jetë e detyruar të përfshihet në këtë lufte, mbase jo zyrtarisht, për ti dalë në mbrojtje popullsisë shqiptare atje, që është rreth 40% e popullsisë së shtetit”, shkruan Prifti, duke konstatuar se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë të gatshëm për luftë sepse shteti shqiptar ka vetëm rreth 3.000 ushtarë dhe mbase rreth 9.000 policë.

Ish ministri maqedonas i punëve të brendshme dhe të jashtme Lubomir Fërçkovski i hedh poshtë këto parashikime të Dritan Priftit. Ai vlerëson se bëhet fjalë për analizë joserioze, sepse për zhvillime të tilla nevojiten motive dhe kontekst historik.

“Nuk ka rrethana të tilla historike. Ne lëvizim drejt normalizimit të demokracisë dhe raporteve. Në këtë drejtim lëvizin edhe interesat e brendshme edhe interesat e bashkësisë ndërkombëtare. Për tensione të reja nevojiten energji të reja. Për momentin nuk ka as motive as kontekst historik për luftë”, thotë Fërçkovski për “Lajm”.

Nga ana tjetër, ish deputeti i PPD-së, Ismet Ramadani edhe pse i vlerëson si “analiza prejudikuese”, nuk përjashton mundësinë që parashikimet e Priftit të realizohen nëse faktori ndërkombëtar nuk involvohet më seriozisht dhe nuk e menaxhon situatën në Maqedoni deri në fund, “edhe para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve”. Ramadani paralajmëron se ekziston mundësia që Maqedonia të destabilizohet dhe këtë destabilizim mund ta krijojnë partitë në pushtet, të cilat e kanë shumë të rëndësishme që edhe më tutje të vazhdojnë qeverisjen e tyre për interesa që janë individuale dhe grupore, e që kanë të bëjnë me kriminalizimin e skajshëm të mënyrës së qeverisjes dhe mund të inskenojnë situata destabilizuese të kontrolluara. “Mirëpo në Maqedoni për shkak të strukturës etnike destabilizimet që ata mendojnë se janë të kontrolluara, mund të dalin nga paramendimet e tyre dhe Maqedonia mund të futet në krizë të thellë jo vetëm politike, por edhe në aspektin e sigurisë. Këtu gjithnjë patur parasysh edhe shërbimet destruktive që punojnë në drejtim të krijimit të disponimit dhe situatës pro-putiniste ose pro-ruse, andaj opozita maqedonase dhe shqiptare duhet ta forcojnë bashkëpunimin me SHBA-të dhe BE-në për ta menaxhuar bashkë një situatë që nuk do të sillte destabilizim dhe konflikt eventual në Maqedoni”, thekson Ramadani në deklaratën e tij për “Lajm”.

Shpresat se në Maqedoni dhe në Ballkan nuk do të ndodhë ndonjë konflikt i ri ai i mbëhstet edhe te projekti nga Samiti i Berlinit. “Mendoj se ky projekt që filloi në Berlin, i vazhduar në Vjenë dhe që do të vazhdojë tutje në qendra tjera të BE-së nuk do t’i len shumë hapësirë strukturave kriminele politike që ta destabilizojnë Maqedoninë dhe rajonin, i cili është në fazë të përgatitjes eurointegruese”, thekson Ramadani.