“Dil e thith pakëz ajër të pastër”

379

Shkruan: Ramadan RAMADANI

Me të mësuar për aksionin qytetar “Meritojmë më mirë”, vendosa të kontribuojë me diçka personale. Një përvojë e shëmtuar nga ato që përsëriten pa ndërprerë, pikërisht për shkak të qeverisjes së papërgjegjshme, të keqe. Por, duke dëgjuar lajmet e përditshme për ngjarjet në vend, njerëzit dhe humbjet e tyre sikur më turpëruan dhe më zmbrapsën ta rrëfej hallin, i cili krahasuar me vdekjet që ndodhin çdo ditë në vend, dukej një problem i largët dhe i vogël.

Në ndërkohë, derisa po lexoja lajme për ndodhitë në vend, u binda se ne, edhe pse mendojmë sikur jetojmë në paqe, çdo ditë po falim viktima dhe atë në dy aspekte më të papritura. Nga ndotja e ajrit dhe vdekja në spitale e foshnjave. Vdekja e foshnjave, me të cilën jemi kampion në Evropë, është më tepër se vdekje. Në një farë mënyre, kjo është vdekje e perspektivës. Edhe pse çdo ditë kemi humbje të ndryshme, siç është largimi i fëmijëve veç më të rritur dhe të gjallë, megjithatë, vdekja e foshnjave, mbetet humbja më e madhe. Dallimi mes këtyre dy humbjeve për ne dhe për vendin, është si dallimi që e thekson filozofi danez Kierkegard midis divorcit të kurorës dhe prishjes së fejesës.

Ai thotë se, kjo e fundit, prishja e fejesës, është humbje më e madhe dhe më e dhimbshme, pasi kjo është ndërprerje e potenciales. Kur i përcjellim fëmijët e rritur, të kultivuar, të arsimuar, shpesh herë fëmijët tanë më të mirë dhe më të shkathtë, në një farë mënyre ne ngushëllohemi me shpëtimin e tyre. Por, me rastin e vdekjes të ndonjë foshnje, ne mund të vajtojmë se mbase pikërisht ndonjëri nga këto foshnja mund të ishte njëri nga ata që do mbijetonte dhe do ta ndreqte vendin, pa pasur nevojë që në të ardhmen atë ta braktisin; pleq e të rinj.

Bilanci tjetër i vërtetë i luftës, ku brenda vitit kemi edhe me qindra humbje direkte jetë njerëzish, është ndotja. Them humbje direkte, pasi ato indirektet as që numërohen dot në shtetin ku institucionet zyrtare tregojnë se gjysma e popullatës përballet me probleme shëndetësore të organeve frymore. Jo më kot qytetet tona janë kampionë evropianë dhe botërorë sa i përket ndotjes. Pikërisht botërorë. Këto ditë Tetova u ngjit në krye të asaj liste. Nga ana tjetër, Shkupi, disa herë ka qenë kampion Evrope në listën e kryeqyteteve më të ndotur. E dini; edhe kjo është njëra nga vdekjet më tinëzake, sidomos në paqe. Të vdesësh nga ajo që duhej të të jepte jetë! Duke thithur ajër të ndotur!

Tani kur po e përmendim ajrin, unë po kthehem tek halli im, të cilin, duke marrë parasysh lajmet e këqija që dëgjojmë, nuk e di nëse duhet ta rrëfej!? Unë e kam nënën time me organet e sëmura të frymëmarrjes. Sipas të dhënave zyrtare, ajo ndanë fatin e gjysmës së popullatës të vendit. Ne, në këtë fatkeqësi kemi një fat, njëlloj si shumë familje të tjera, jemi të përgjysmuar nga ikja në kurbet. Kështu që, vëllau im i vetëm, punon dhe jeton në Zvicër. Nëna jeton me ne të dy, e dyzuar dhe me udhëtime të shpeshta, të pakëndshme për moshën e saj të thyer. Kjo që po na ndodh neve dhe asaj, është një hall, natyrisht më minor se humbjet për të cilat dëgjojmë dhe lexojmë. Dhe ky hall fsheh një hall tjetër brenda: nëna ime nuk e ka në dorën e saj të vendos kur se kur do të udhëtojë.

As në dorën tonë. Këtë e cakton shkalla e ndotjes së ajrit. Atëherë kur ajo nuk mund ta përballojë gjendjen e këtushme, ajo detyrohet të shkojë te vëllai. Jo për qejf dhe vizitë, por për hall, për të shpëtuar jetën. Do ishte normale sikur ajo dhe ne, të kishim mundësinë e caktimit të orareve të dasmave tona, pushimeve apo vizitave tona. Por kjo mundësi dhe kjo e drejtë neve, si dhe shumë familjeve të tjera, nuk na bëhet e mundshme. Fare thjeshtë: me fjalinë “Dil e thith pakëz ajër të pastër”, tani më në Maqedoni, jo vetëm se kërkon largimin e dikujt nga vetja, por edhe kërkon largimin nga vendi sepse frymëmarrja këtu po bëhet një mision gjithnjë e më i pamundur. E meritojmë jetën. Meritojmë ajër. Meritojmë nëna dhe fëmijë. Meritojmë më mirë!