Sot në Klubin e Deputetëve mbahet tryeza e rrumbullakët në lidhje me analizën e MO, nën patronazhin e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit kurse Partia Demokratike Shqiptare në një prononcim publik thotë se kjo parti nuk do të marrë pjesë në tryezën  për Marrëveshjen e Ohrit. Kjo pasi siç thuhet në komunikatën e tyre “ky format i bisedimeve nuk është në përputhje me metodologjinë e punës për të cilën jemi marrë vesh me nënshkrimin e marrëveshjes së 2 qershorit/15 korrikut.”

“Duam ta njoftojmë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se Partia Demokratike Shqiptare nuk do të merr pjesë në këtë tryezë, pasi që konsiderojmë se ky format i bisedimeve nuk është në përputhje me metodologjinë e punës për të cilën kemi rënë dakord me nënshkrimin e marrëveshjes së 2 qershorit/15 korrikut. Nuk duam të jemi pjesë e një tryeze ku ata të cilët janë përgjegjës kryesorë për mos implementimin e MO, akoma 15 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes merren vetëm me analiza dhe konkluzione. Ne nuk duam të merremi me konstatime, por duam të arrimë zgjidhje cilësore për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat do të diskutohen në kuadër të grupit punues që drejtohet nga ndërmjetësuesi i Komisionit Evropian, z. Piter Van Hojt.”

Bekim Fazliu edhe njëherë para opinionit ka rradhitur pikat për të cilat thotë se në marrëveshjen e 2 qershorit janë propozuar nga PDSH.

“Edhe një herë përkujtojmë pikat të cilat PDSH i ka parashtruar në bisedimet gjatë arritjes së marrëveshjes së 2 Qershorit/15 korrikut, e që burojnë nga Platforma Politike e PDSH-së: Pozita juridiko-kushtetuese e shqiptareve në Maqedoni; vendimmarrja konsenzuale; ndarja e drejte dhe proporcionale e buxhetit të shtetit; zyrtarizimi i gjuhës shqipe; ndarja e re territoriale; de-etnizimi i simboleve shtetërore (flamuri, himni, stema), si dhe njeri prej tre posteve kryesore në shtet (Kryeministri, Presidenti, Kryetari i Kuvendit) t’u takojë shqiptarëve”, tha deputeti Bekim Fazliu.