Kush do t`i fitoje zgjedhjet me 11 dhjetor?

414

Me 11 dhjetor të vitit 2016 në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë rezultat i një krize të thellë politike, ekonomike dhe institucionale që e ka kapluar Republikën e Maqedonisë gjatë viteve të fundit.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë tejet të rëndësishme për të gjitha subjektet politiek që do të garojnë në to për arsyen se bëhet fjalë për fitimin e imunitetit dhe lirisë përballë pushtetit dhe robërisë. Funksionarët që do të janë lëndë e hetimit të Prokurorisë Speciale Publike e kanë me rëndësi jetike për të fituar në këto zgjedhje, pasi që bëhet fjalë për lirinë e tyre dhe imazhin pozitiv ose negativ që në këto momente për to ka më shumë rëndësi sesa gjithçka tjetër. Në anën tjetër opozita pritet që ta atakoje seriozisht pushtetin duke synuar marrjen e saj, por përpara do të ketë një sfidë të rëndë ekonomike dhe financiare të kthimit të borxheve dhe përballjes me restrikcionet e Bashkimit Evropian.
Parimisht edhe pozita edhe opozita zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 11 dhjetor të këtij viti i ka si finale të veprimtarisë së tyre politike në një garë të egër me shantazhe dhe mashtrime.
Këto janë vijat e përgjithshme të një pikpamje politike, ndërsa kur jemi të vijat e veçanta, ndarja në tabore ose fronte, atëherë gjërat ndërlikohen ende më shumë.
Shqiptarët këtë vit do të futen në këtë garë politike me një elektorat thuajse të përgjysmuar në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore për shkak të pakënaqësisë dhe mllefit të tyre ndaj politikanëve dhe veprimtarive të reja politike tek subjektet e reja.
Ky elektorat i vogël do të duhet ndarë në shtatë subjekte politike shqiptare, BDI, PDSH, BESA, LR PDSH, UNITETI, RDK, PPD , një fraksion, RDK e Zendelit dhe një subjekti tjetër politik maqedonas, LSDM.
Edhe pse është e mirë konkurenca dhe multikulturalizmi që krijon mundësinë e një gare të mirëfilltë, megjithatë elektorati shqiptar i papërcaktuar nuk është joshur ende nga oferta e subjekteve të reja politike. Po i pyete se si do ta zgjidhni papunësinë tek rinia shqiptare në Maqedoni, pjesa dërmuese e tyre as që do të kanë mundësi që të përgjigjen, pasi që në radhët e veta nuk kanë ekspert të fushës dhe strategji në këtë drejtim. Po i pyete se si do ta avanconi çështjen nacionale shqiptare do të përmendin gabimet e subjekteve që kanë bërë në të kaluarën dhe do të thonë se ato gabime nuk do t`i bëjnë, por asnjëra nuk di të specifikoje se si do ta zgjidh këtë çështje.
Elektorati shqiptar kësaj here me oferta të pasura politike po ndjehet e etur dhe uritur për zgjidhjen adekuate të problemeve të tyre të përditshme. Si duket edhe subjektet e vogla politike më shumë do të merren me kalkulime të lagjeve dhe rrugëve sesa me strategji se si të josh votuesit e papërcaktuar dhe të pakënaqur shqiptar. Nuk është trup i vogël votues pjesa e votuesve të papërcaktuar shqiptar. Dhe nuk është rëndë të binden këto njerëz në ofertën politike kur shohin para syve ofertë serioze dhe reale, të mundshme politike për zgjidhjen e problemeve të tyre. Thjeshtë po ekzistojnë shumë subjekte politike pa ofertë konkrete për të gjitha sferat e jetës që i tangojnë shqiptarët e Maqedonisë.
Si rezultat i kësaj mendoj se zgjedhjet e 11 dhjetorit tek shqiptarët e Maqedonisë do t`i fitojnë ato subjekte politike që do të janë unike, kanë platformë politike, gënjejnë më pak, janë të shtrira mirë në terren, kanë marketing të zhvilluar politik dhe që nuk do të përdorin presionet dhe kërcënimet për të votuar.